×
  • Lajme
  • Lajme

    Selimi thotë se është gati Projektligji i ndryshuar për Agjencinë Kundër Korruspsion

    Reporteri
    14 Dhjetor 2020 | 12:29

    Ministria e Drejtësisë (MD) e ka gati projektligjin e ndryshuar për Agjencinë Kundër Korrupsion. Këtë e ka bërë të ditur ministri Selim Selimi në një konferencë për media.


    Ai tha se ndryshimet janë bërë në koordinim me të gjithë mekanizmat vendës dhe ndërkombëtarë.

    Sipas tij, janë të trajtuara të gjitha çështjet që i referohen pengesave në zbatim nga ana e organit zbatues dhe atyre çështjeve që nuk kanë qenë të mbuluara me dispozita përkatëse ligjore e që i referohen Agjencisë.

    Ai më tej ka sqaruar se ndër risitë më të veçanta të këtij Projektligji është se Agjencia do të ketë kompetenca për të shqiptuar masa administrative dhe gjoba në rast të shkeljes së dispozitave ligjore.

    Selimi shtoi se risi tjetër e këtij Projektligji është se Agjencia do të monitorojë Strategjinë Anti-Korrupsion i cila do të jetë dokument-udhërrëfyes për institucionet e Kosovës.

    “Përkundër shumë aktiviteteve, Ministria e Drejtësisë fokus të veçantë i ka dhënë kornizës ligjore dhe normative. Në këtë drejtim, dëshiroj të njoftoj publikun se në shënim të Javës Kundër Korrupsionit, Ministria ka finalizuar punët rreth projekt ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit”.

    “Është synimi i kahmotshëm për të përqendruar kompetencat e Agjencisë në fushën e parandalimit për t’i ikur çfarëdo dualizmi të kompetencave me organet tjera ligj-zbatuese është arritur me këtë Projekt-ligj duke shënuar një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim. Përmes këtij Projekt – ligji, Agjencia merr kompetenca të qarta në funksion të parandalimit të korrupsionit duke përcaktuar përfundimisht një kornizë efektive anti-korrupsion dhe nga ana tjetër përcakton kompetencat ligjore të Agjencisë në fushën e parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në fushën e hetimeve administrative në lidhje me parandalimin e konfliktit të interesit, procesit të deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, dhe çështjet që ndërlidhen me sinjalizuesit”, ka thënë ai./EO

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!