×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Protestat për Kodian Rashën, Policia paralajmëron: Nuk do të lejohet më asnjë grumbullim

    Reporteri
    14 Dhjetor 2020 | 12:44

    Policia e Shtetit ka dalë sot me vendimin e prerë për të mos lejuar më asnjë grumbull, duke paralajmëruar të rinjtë që kanë protestuar për Klodian Rashën.


    Me një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se pesë protestat para u lejuan për shkak se ishte e pamundur për t’i penguar, si pasojë e ndjeshmërisë së popullore.

    Por “kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes”, nuk do të lejohet më asnjë grumbullim që bie ndesh me rregullat anti-covid.

    Njoftimi:

    Në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjen shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

    Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim.

    Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.

    Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:

    Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;

    Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;

    Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;

    Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;

    Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;

    Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;

    Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;

    Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.

    Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!