×
  • Lajme
  • Lajme

    Molliqaj për arrestimin e anëtarëve të PSD-së në Serbi: Institucionet e Kosovës të angazhohen maksimalisht që ata të kthehen sa më parë në Kosovë

    Reporteri
    14 Dhjetor 2020 | 13:37

    Gjatë ditës së djeshme policia serbe ka arrestuar dy qytetarë të komunës së Podujevës, Blerim Maqastena dhe Berat Megjuani, të cilët për shkak të mjegullës dyshohet se mund të kenë dalë në territorin e Serbisë.


    E për këtë ka reaguar sot kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili ka bërë të ditur se të arrestuarit janë njëri asamblist dhe tjetri aktivist i partisë së tij, shkruan Reporteri.net.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka thënë se kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde dhe se ata është dashur të lirohen menjëherë me një procedurë normale.

    I pari i PSD-së ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që të arrestuarit të kthehen në Kosovë.

    Lidhur me rastin, Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi , i cili fillimisht ka thënë se nuk është në dijeni, pasi nuk ka marrë asnjë informatë zyrtare nga stacioni policor në Podujevë.

    Pak orë pas këtij prononcimi për Reporteri.net ka reaguar përmes një statusi në Facebook, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se dy qytetarët nga Podujeva janë arrestuar në rrethana të pasqaruara derisa kishn dalë të ecnin brenda territorit të komunës sonë, përgjatë brezit kufitar.

    Bulliqi ka kërkuar nga shteti serb që t’i lirojë menjëherë dy qytetarët tanë, që po mbahen të ndaluar.

    Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

    “Me shqetësim morëm lajmin që dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Blerim Maqastena (asambleist dhe aktivist i PSD-së në Podujevë) dhe Berat Megjuani janë arrestuar dhe paraburgosur në Serbi. Blerimi dhe Berati po mbahen tash e 2 ditë në paraburgim në Serbi. Kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde. Blerimi dhe Berati është dashur të lirohen menjëherë me një procedurë normale. Arroganca e autoriteteve të Serbisë është e papranueshme.

    Sipas informatave që kemi, Blerimi dhe Berati për shkak të mjegullës së madhe kishin humbur rrugën duke ecur në zonën kufitare me Serbinë, dhe gabimisht janë futur në territorin e Serbisë. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, të cilët janë vënë në kontakt me autoritetet serbe nga të cilat pastaj janë ndaluar.

    Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që Blerimi dhe Berati të kthehen sa më parë në Kosovë. Duke parë natyrën e rastit, vonesat në trajtimin dhe lirimin e tyre janë të panevojshme dhe të papranueshme.”

    PSD /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!