×
  • Lajme
  • Lajme

    Klinaku: Gucati e Haradinaj deri më tani kanë qenë të kidnapuar

    Reporteri
    14 Dhjetor 2020 | 16:57

    Ushtruesi i detyrës së kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish-krerëve të kësaj organizate, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka thënë se deri më tani Gucati e Haradinaj kanë qenë të kidnapuar, sepse nuk kanë pasur asnjë shkresë për mbajtje në paraburgim, përveç shkresës për arrestim, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij, akuza ndaj tyre nuk është kompetencë e Speciales.

    Klinaku ka thënë se hetimet për rrjedhjen e dokumentacioneve në publik duhej ta bënte në Hagë, prej kah edhe kanë rrjedhur dosjet sipas tij.

    Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt sot i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe prirtet dalja e tyre para gjyqtarit në seancat e radhës.

    Sipas avokatit të tyre, Tomë Gashi, aktakuza kundër ish-krerëve të OVL-UÇK përmban katër pika, të cilat kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë dhe me aktakuza konkrete që sipas Speciales ndërlidhen me periudhën kohore në mes të datave 7 dhe 25 shtator të këtij viti.

    Ndërkaq, sipas avokatit, Gucati e Haradinaj akuzohen, ndër të tjera, për pengim të drejtësisë dhe tri vepra të tjera.

    Gashi ka shkruar se Gucati e Haradinaj dhe ai vetë si avokat nuk e pranojnë këtë gjykatë të cilën e ka quajtur raciste dhe tepër të dëmshme për pavarësinë e Kosovës.

    Ky është postimi i plotë i Klinakut:

    Sot u konfirmua aktakuza ndaj krerëve të OVL UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

    Deri më tani ata kanë qenë të kidnapuar, sepse nuk kanë pasur asnjë shkresë për mbajtje në paraburgim, përveç shkresës për “arrestim”.

    Akuza ndaj tyre për gjoja pengim të drejtësisë, e bazuar në kodin penal të Republikës së Kosovës, nuk është kompetencë e speciales.

    Meqenëse gjykata speciale e pranon se dokumentacionet e rrjedhura në publik janë të saj, hetimin e çështjes duhej që ta bënte në Hagë, aty ku kanë rrjedhur dosjet.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!