×
  • Lajme
  • Lajme

    11 mijë 551 raste aktive me coronavirus, paralajmërohen masa të reja për fundvit

    Reporteri
    15 Dhjetor 2020 | 8:07

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 46.909 raste nga 164.548 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.203 raste të vdekjes.


    IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 34.155 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.551.

    Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se masat e marra sipas kategorizimit të komunave kanë dhënë efekt dhe sipas tij është e domosdoshme të vazhdohet tutje me ato masa, teksa paralajmëroi se do të marrin masa të reja për fundvit.

    Kështu është shprehur ai pas takimit virtual me kryetarët e komunave, ku u bë vlerësimi i situatës epidemiologjike.

    “Në takimin virtual me kryetarët e komunave, kemi bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në vend si dhe një bashkërendim se si të ecim tutje në këtë dy javët e fundit të vitit. Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa. Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë”, ka shkruar Zemaj.

    Ai paralajmëroi se masa të reja do të merren për fundvit.

    “Ne e kemi obligim ligjor, obligim ndaj qytetarëve, secili në përgjegjësit e veta, në radhë të parë ta ketë ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, si prioritet mbi prioritetet. Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti COVID për fund vit”, shkruan ai.

    Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, ka dhënë detaje nga takimi me kryetarët e komunave dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku është diskutuar për masat e reja antiCOVID-19.

    Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë “në këtë takim, u dakorduam se mbyllja e tërësishme nuk është e nevojshme në këtë fazë, sikurse që duhet të analizohet zonimi dhe të shtyhet orari i mbylljes”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!