×
  • Lajme
  • Lajme

    Industria e dasmave humbësja më e madhe, diaspora vitin e kaluar solli 1 miliard e 300 milionë euro

    Reporteri
    15 Dhjetor 2020 | 16:12

    Sallat e restauranteve të zbukuruara për dasmat dhe ahengjet familjare, këtë vit mbeten të mbyllura dhe nuk festoi askush në to.


    E gjithë industria e dasmave është një fushë që pati rënie shumë të madhe ekonomike këtë vit, si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19, shkruan Reporteri.net.

    Sipas një hulumtimi të UNDP, janë rreth 800 mijë kosovarë që jetojnë në diasporë, të cilët udhëtojnë rregullisht për në Kosovë gjatë gjithë vitit.

    Por fluksi më i madh i mërgimtarëve është në muajt e verës, kur qindra mijëra kosovarë të diasporës kalojnë pushimet e gjata në vendlindje, duke u bërë kështu edhe pjesë e ‘sezonit të dasmave’.

    Sipas hulumtimit të UNDP, mërgimtarët shpenzuan gati 1.3 miliardë euro vetëm në vitin 2019, ku rreth gjysma e kësaj shume u shpenzua në muajt korrik dhe gusht, transmeton Reporteri.net.

    E mungesa e tyre e sivjetme si pasojë e pandemisë, i ka dhënë një goditje të madhe ekonomisë së Kosovës.

    Numri i vizitorëve në pranverën e vitit 2020 kishte rënë me 86% në krahasim me një vit më parë dhe shkala mesatare e shfrytëzimit tremujoj të hoteleve kishte rënë në 2%.

    Në muajin maj, mbyllja totale ndikoi që ekonomia ‘të pauzojë’ për dy muaj, duke prekur kështu direkt 3,683 biznese të vogla dhe të mesme.

    UNDP vlerëson se kjo nënkupton një humbje prej 13 milionë euro në xhiro, mbi 6 milionë euro humbje në paga dhe më shumë se 12 mijë punonjës pa të ardhura dhe në rrezik të humbjes së vendit të punës.

    Menaxheri i një salle dasmash, tregon se janë shpenzuar një milion euro në këtë hapësirë e cila mbeti e mbyllur për të gjitha rezervimet e kësaj vere.

    Kriza ekonomike ka prekur edhe një nga sektorët kryesorë të kësaj industrie.

    Janë pikërisht sallonet e bukurisë të cilat kanë pësuar rënie të mëdha të të hyrave, si pasojë e pandemisë.

    Artistja e grimit Canan Cibo thotë se ka parë një rënie drastike në biznesin e saj.

    Krahas salloneve të bukurisë, janë prekur dhe janë dëmtuar ekonomikisht edhe dyqanet e veshjeve solemne.

    Pronarja e një dyqani të tillë tregon se është detyruar ta mbyllë dyqanin krejtësisht dhe të punojë vetëm me porosi online.

    Shumë nga pjesëtarët e industrisë së dasmave shpresat i mbajnë tek sezoni i ardhshëm, pasi që njoftojnë që kanë rezervime tjera për festa familjare në vitin 2021./Photos: UNDP Eurasia /Ferdi Limani /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!