Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar që policit Besnik Shala , i cili ushtroi dhunë brutale ndaj një 19 veçari në Mitrovicë, t’i vazhdohet masa e supendimit deri në përfundim të hetimeve, shkruan Reporteri.net.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka thënë për Gazetën Online “Reporteri.net” se suspendimi do të zgjasë deri në fund të hetimeve.
“Nga IPK është rekomanduar suspendimi deri në përfundim të hetimeve. Kjo është një procedurë që kërkohet nga ne derisa të kryhen hetimet dhe rasti të marrë epilog”, tha Hodaj.
“Për momentin hetimi është duke u zhvilluar vetëm ndaj një zyrtari por hetimet do të tregojnë nëse kanë qenë të përfshirë edhe të tjerë. Pas përfundimit të hetimeve do të vendoset a do të ngritet kallëzim penal”, shtoi ai.
Javën e kaluar 19 vjeçare SH. B u rrah nga polici Shala në mënyrë brutale.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar për ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin kosovar dhe çoi në suspendimin e policit.
19 vjeçari bashkë me tre shokë të tij e kishin kaluar natën pranë një zjarri tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë, meqë nuk kishin gjetur transport për kthim në shtëpi pas orës 19:00, thonë se kishin dëgjuar udhëzimet e policëve dhe ishin nisur të ktheheshin.
Por menjëherë pas kësaj, sipas tyre, njëri nga zyrtarët kishte filluar të ushtrojë dhunë fizike mbi ta. Viktima që u përgjak thotë se iu bind policit, por pavarësisht kësaj ai e goditi.
“Ne e kemi fikur zjarrin dhe jemi nisur për shtëpi dhe me pas kemi kaluar rreth 20 m, njëri prej tyre ka kërkuar që të vrapojmë. Menjëherë pas kësaj, ka filluar të na godas, ashtu që fillimisht njërin prej shokëve të mij e ka goditur me shkelm në shpinë, tjetrin në këmbë, pastaj ka nxjerr shufrën metalike dhe më ka goditur në këmbën e majtë, pastaj dorën e majtë dhe derisa ishte duke më goditur, i kam thënë mos më godit, e pas kësaj, ka vazhduar me goditje disa herë në kokë, me shufër metalike, me ç’rast më ka shkaktuar plagë dhe ka filluar gjakderdhja.”, ka thënë Sh.B për Reporterin.
Ai tha se, ndonëse i gjakosur, Policia e la ashtu në rrugë. Ai thotë se ka shkuar vetë në emergjencë dhe pastaj është shoqëruar në Stacion nga i njëjti polic që pretendohet se e kishte rrahur, ku është mbajtur deri në ora 12:00.
“I gjakosur, mezi kam arritur të shkoj në Emergjencë, ku më është ofruar ndihma e parë dhe personeli mjekësor e ka ftuar policinë”, ka shtuar ai.
E se personi ka qenë në Emergjencën e Mitrovicës, e konfirmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta. Aty evidentohen edhe plagët.
Menjëherë pasi “Reporteri.net”, raportoi për këtë ngjarje, polici u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Gazeta ka pyetur Policinë e Kosovës, e cila e ka konfirmuar se ka pasur një rast në këtë lokacion dhe, sipas Avni Zahitit, ai është cilësuar si “pengim i personit zyrtar”. Megjithatë, Zahiti e konfirmon se rastin e kanë marrë Inspektorati Policor, pasi 19 vjeçari është ankuar për dhunë.
“Rreth orës 4:00 të mëngjesit ka ndodhur një rast që është iniciuar “pengim i personit zyrtar”. Bëhet fjalë për një 19 vjeçar që është shoqëruar në Polici. I dyshuari është liruar me urdhër të prokurorit. I dyshuari ka paraqitur ankesë dhe rastin e kanë marrë IPK-ja”, ka thënë Avni Zahiti për Gazetën Online Reporteri.net.
Viktima më pas kishte shkuar sërish në Spitalin e Vushtrrisë, për shkak të kokë dhimbjes së padurueshme e pamundësisë për të fjetur, si pasojë e goditjeve me shufër metalike.