Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja rreth vrasjes që ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku kanë mbetur të vdekur babë e vajzë.
Sipas Prokurorisë viktimat ishin të moshës 52 dhe 21 vjeçare.
“Me datën 15.12.2020, rreth orës 19:30, jemi informuar nga Policia e Kosovës se në lagjen ‘Edit Durham’, në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, ku dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë quar deri në ngjarjen tragjike”.