×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i Kadri Veselit kundërshton Prokurorinë që gjykimi të nis në shtator

    Reporteri
    17 Dhjetor 2020 | 13:04

    Ben Emmerson, avokati mbrojtës i ish-eprori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli ka kundërshtuar Prokurorinë e ZPS-së, që gjykimi të fillojë pas tre muajsh pasi të kenë të gatshme dosjen paragjyqësore.


    Ai ka kundërshtuar idenë e avokatit të Prokurorisë, Allan Tiger, që të dorëzojë dosjen e saj në gjykatë në qershor ose korrik, me kushtin që gjykimi të nisë në shtator.

    Emmerson ka thënë se nuk do të lejojnë një gjykim të padrejtë.

    “Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe absurde. Duhet të ndalet kjo gijotinë e Prokurorisë. Ajo që Tiger sapo tha, është shqetësim mjaftë i rëndë. Habitem se si prokuroria i jap këto përgjigje. Është një parashtrim shokues, ka vetëm një arsye, që të kufizojë mundësinë e mbrojtjes për përgatitje, në qoftë se rregullat thonë që për një gjykim mbrojtja duhet të ketë pak kohë për përgatitje është në rregull, por nuk e thonë. Afati përcaktohet nga kompleksiteti i rastit. Gjyqi të fillojë pas tre muaj është qesharake, është gjyq i padrejtë, nuk do ta lejojmë qe të ndodhë. Nuk është çështje negociatash apo vendimesh është e drejta bazë për të pasur një gjyq të drejt. Gjyqi duhet të fillojë pasi mbrojtja të jetë përgatitur”, ka thënë Emmerson.

    Ai ka paralajmëruar që bashkëngjitur me kërkesën për lirim të klientit të tij, Veselit, do të dorëzojë edhe prova që dëshmojnë se përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla kanë marrë deri në 3 vjet e gjysmë. Ka përmendur edhe gjykimin e Ramush Haradinajt në Hagë.

    “Është qesharake, është përpjekje e prokurorisë për të pasur një gjykim të padrejtë”, shtoi avokati i Veselit

    Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

    Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!