Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes kanë goditur sërish tavolinat në sallën e Kuvendit, duke kërkuar që Selmanaj të del jashtë sallës.
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci i ka lutur deputetët që të mundësojnë mbajtjen e seancës, shkruan Reporteri.net.
Si pasojë e gjendjes, Nagavci sërish ka dërguar Kuvendin në 10 minuta pushim, për t’u konsultuar sërish me shefat e Grupeve Parlamentare.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës i filloi punimet në ora 10:30 ndërsa ato u ndërprenë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejuan që ajo të vazhdojë nën prezencën e zv/kryeministrit Driton Selmanaj.
Deputetët e LVV-së kishin paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillim e seancave kur është i pranishëm Selmanaj. Këtë vendim, LVV e kishte marrë para disa javësh, pas deklaratave që zëvendëskryeministri Selmanaj i kishte bërë për të pagjeturit.
“Si Grup Parlamentar kemi vendosur që të refuzojmë të lejojmë vazhdimin e çfarëdo seance plenare ku është i pranishëm Driton Selmanaj. Për ne si Lëvizje, ky njeri është i papranueshëm në Kuvend. Çështja e të pagjeturve nuk është çështje e një subjekti politik apo individi te caktuar, por është problem dhe dhimbje që prek të gjithë qytetarët e kësaj Republike”, kishte njoftuar LVV.
Në rend të ditës ishin pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
Kuvendi nuk arriti të ketë vendimmarrje për asnjë nga pikat e papërfunduara qysh nga 7 gushti e deri më 27 nëntor, përshirë projektligjin për mbrojtjen e vlerave e luftës së UÇK-së e të propozim-rezolutës nga raportimi i kryeministrit Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. /Reporteri.net