Shefi i kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, ka reaguar pas protestës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e sotme të Kuvendit kundër zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj.
Gecaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk e kanë fajin deputetët e VV-së, pasi që sipas tij ata janë të tillë dhe nuk mund të dalin nga lëkura e tyre, shkruan Reporteri.net.
Ai fajëson votuesit, për të cilët thotë se po ua mundësojnë këtyre adoleshentëve t’i shndërrojnë institucionet në arencë cirku.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës i filloi punimet në ora 10:30 ndërsa ato u ndërprenë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk lejuan që ajo të vazhdojë nën prezencën e zv/kryeministrit Driton Selmanaj.
Deputetët e LVV-së kishin paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillim e seancave kur është i pranishëm Selmanaj. Këtë vendim, LVV e kishte marrë para disa javësh, pas deklaratave që zëvendëskryeministri Selmanaj i kishte bërë për të pagjeturit.
“Si Grup Parlamentar kemi vendosur që të refuzojmë të lejojmë vazhdimin e çfarëdo seance plenare ku është i pranishëm Driton Selmanaj. Për ne si Lëvizje, ky njeri është i papranueshëm në Kuvend. Çështja e të pagjeturve nuk është çështje e një subjekti politik apo individi te caktuar, por është problem dhe dhimbje që prek të gjithë qytetarët e kësaj Republike”, kishte njoftuar LVV.
Ky është postimi i plotë i Gecajt:
Nuk kanë faj deputetët e LVV-së, sepse të tillë janë dhe nga lëkura nuk mund të dalin … fajin e kanë votuesit që ua mundësojnë këtyre adoleshentëve t’i shndërrojnë institucionet tona në arenë cirku!
/Reporteri.net