Prokuroria e Tiranës ka zbardhur gjithë dinamikën e ngjarjes së 8 dhjetorit ku mbeti i vrarë 25 vjeçari Klodian Rasha ndërsa brenda pak ditësh dosja pritet të dërgohet në gjykatë, për të nisur gjykimi.
Një ditë me parë organit të akuzës i kanë mbërritur edhe ekspertizat e armëve dhe të vendit të ngjarjes, ndërsa janë këqyrur edhe të gjitha pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë .
Për të analizuar ekspertizat dhe për të konkluduar në lidhje me akuzën përfundimtare ndaj efektivit gjatë kësaj të premteje, 18 dhjetor, në prokurori ka qenë edhe kreu SHCBA, Muhamet Rrubullaku së bashku me efektive të këtij sektori.
Sa i takon armës së gjetur në vendngjarja mësohet se deri tani ndonëse, ka gjurmë ato nuk i përkasin as viktimës dhe as autorit, por po ekspertohen edhe mbetje tË tjera biologjike.
Hetuesit nuk përjashtojnë edhe mundësinë që arma mund të jetë hedhur edhe nga ndonjë tjetër person që nuk ka lidhje me ngjarjen, por kjo i përket një tjetër hetimi.
Sa i takon vrasjes së 25 vjeçarit tashmë edhe shkencërisht është faktuar se ajo është shkaktuar nga arma e efektivit Nevaldoldo Hajdaraj. Ai ka qëlluar dy here në drejtim të 25 vjeçarit, ku njëri nga plumbat ka kapur qepenin e një servisi, ndërsa tjetra ka kapur në pjesën e kurrizit Rashën duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Goditjet që ka kapur qepenin ka qenë në 120 cm lartësi ndërsa e dyta që ka kapur viktimën n ë150 cm, pra një distance vetëm 30 cm. Ekspertizat kanë përcaktuar se goditja që i ka shkaktuar vdekjen 25 vjeçarit është e drejtpërdrejtë dhe jo si pasojë e ndonjë rikoshete siç mund edhe të aludohej.
Hetuesit janë duke verifikuar edhe mundësinë e ndonjë njohje të mëparshme të viktimës me autorin. Për të analizuar provat dhe akuzat sot në prokurori ka qenë vetë kreu i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku së bashku me efektivë të këtij sektori.