Qytetarët shkodranë kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme për vrasjen e Klodian Rashës.
Protestuesit janë grumbulluar te sheshi “Nënë Tereza” në qytet dhe deri më tani situata është e qetë.
Prania e njerëzve në këtë protestë është e ulët dhe mes të pranishmeve ka të rinj të forumeve rinore dhe qytetarë, të cilët morën pjesë në protestën e kaluar.
Në duar protestuesit mbajnë pankarat: “nuk jemi popull i varfër, jemi popull i vjedhur dhe i vrarë”, “më në fund kemi shtet, ditën të puth dhe natën të vret”.
“Nisma jonë si herën tjetër dhe në çdo nismë që unë personalisht marr pjesë, absolutisht nuk është as dhuna, as shkatërrimi, as prishja. Nuk besoj që arrin gjë me këtë. Pavarësisht të gjithave unë nuk e justifikoj dhunën dhe pse nganjëherë unë e kuptoj mllefin. Herën tjetër ishin thjesht disa fëmije, që më vjen keq shumë për atë që ndodhi. E keqja e herës tjetër ishin të rritur që i panë dhe nuk i ndaluan”, u shpreh një protestuese për Euronews Albania.
Ndërkohë efektivët e policisë kanë rrethuar dhe marrë në mbrojtje institucionet, si bashkinë Shkodër dhe prefekturën.
Marshimi i thirrur për protestë ndaj vrasjes së Klodian Rashës në Shkodër, i cili u zhvillua të shtunën e kaluar, përshkallëzoi në dhunë kur një grup të rinjsh iu drejtuan godinës së Partisë Socialiste në këtë qytet.
Këta të fundit shkatërruan godinën dhe i vunë flakën orendive të saj.
Për tensionet në Shkodër, Policia ka proceduar penalisht kryetaren e bashkisë, Voltana Ademi dhe 7 persona të tjerë si organizatorë të protestës.