Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani e ka bërë të qartë ditë më parë në një intervistë se do të garojë me një listë të saj në zgjedhjet e reja, por nën petkun e Lëvizjes Vetëvendosje, çka ka konfirmuar se ka nisur bisedimet me Albin Kurtin.
Ajo tha se e ka ndërmarrë këtë hapë pasi i është mbyllur dera në LDK, përjashtuar nga partia që për disa vite ishte pjesë e saj.
Përkundër kësaj deklarate të Osmanit, një nga njerëzit më të fuqishëm në LDK, numri dy i kësaj partie, Lutfi Haziri, mbrëmë në emisionin “Pressing” në T7, la mundësinë që Vjosa të mbetet në këtë parti, përkundër përplasjeve që ka pasur me Isa Mustafën.
Haziri tha se Vjosa Osmani nuk është përjashtuar nga LDK-ja, vetëm nga pozita e nënkryetares dhe anëtare e Kryesisë, por se vazhdon të jetë anëtare e partisë.
I pyetur nga gazetari nëse do të takohet me Vjosa Osmanin dhe nëse ajo duhet të mbetet në LDK, Haziri e ka lënë të hapur mundësinë e takimit, dhe ka thënë se duhet të ndërtohet unitet në parti dhe të bashkohen të gjitha ‘copat e vogla’.
“Është rruga e vetme që LDK i jep mundësi me u kthy, është rruga e unitetit dhe bashkimit të gjitha copave të vogla. Duhet me shtjerrë çdo mjet, çdo mundësi, çdo aftësi dhe mekanizëm për me ndërtuar unitet të gjerë”, ka deklaruar Haziri, duke i dhënë megjithatë një kritikë Osmanit se “parimi i shumicës nuk duhet të thyhet, dhe se kur vendos shumica duhet të respektohet”.
Por mendim krejt tjetër me Hazirin ka kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, që është poashtu nënkryetar i LDK-së. Ky i fundit nuk e sheh më në parti Vjosa Osmanin, duke thënë se ajo e ka bërë zgjedhjen e saj, shkruan Reporteri.net.
“Ajo ka zgjedhur rrugën e vet. Ajo i ka ndarë rrugët përgjithmonë me LDK-në”, tha Hoti.
Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse Haziri do të takohet me Osmanin që kjo e fundit të mbetet në LDK, apo ushtruesja e detyrës do të zgjedh që përfundimisht të garojë në zgjedhjet e reja me listen e saj me partinë e Albin Kurtit. /Reporteri.net/.