×
  • Lajme
  • Lajme

    Miftaraj: Kushtetuesja s’do ta kishte rrëzuar Qeverinë Kurti, Etem Arifi votoi edhe për të

    Reporteri
    22 Dhjetor 2020 | 18:50

    Gjykata Kushtetuese nuk do ta kishte rrëzuar Qeverinë Kurti, në rast se dikush atëherë do ta çonte për shqyrtim në autoritetin më të lartë të vendit për interpretimin e Kushtetutës, votën e ish-deputetit të dënuar, Etem Arifi në vendimin për formimin e asaj qeverie. Kështu është shprehur drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj.


    Sipas Miftarajt, formimi i Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Hoti dallojnë. Ai ka shpjeguar se si pasojat juridike në atë rast nuk do të ishin të njëjta.

    “Formimi i Qeverisë Kurti dhe Hoti dallojnë për nga numri i deputetevë që kanë votuar, përfshirë votimin për kryetar të Kuvendit. Përderisa vota e deputetit Arifi ka qenë vendimtare vetëm në raport me Qeverinë Hoti, respektivisht i njëjti ka përmbushur kushtin kushtetues që të votojnë 61 deputetë për formimin e qeverisë, andaj edhe pasojat juridike lidhur me forkimin e Qeverisë Hoti nuk janë të njëjta dhe nuk do të prodhonin të njëjtin rezultat sikur të dërgohej në Kushtetuese”, është shprehur Miftaraj për Express.

    Kushtetuesesja ka konstatuar se vendimi i 3 qershorit për formimin e Qeverisë Hoti nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, pasi kabineti qeveritar i prezantuar në Kuvend nuk kishte marrë shumicën e votave të deputetëve.

    “Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në konstatimin e dytë të aktgjykimit të Kushtetueses.

    Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të martë u takua me shumicën e përfaqësuesve të partive politike parlamentare për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes së tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!