Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar 9 majin, Ditën e Evropës.
Në këtë ditë, Thaçi i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova ka përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve të BE-së, por diskriminimi po vazhdon.
Postimi i plotë:
Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian.
Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite.
Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane. Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.
Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës!