Gent Cakaj u ka dhënë fund fjalëve se do t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës, pas dorëheqjes nga ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Caka ka thënë se për një kohë të gjatë nuk do t’i bashkohet asnjë partie politike në Kosovë, transmeton Reporteri.net.
“Unë nuk planifikoj të bëhem pjesë e asnjë partie nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Përderisa unë do të mbetem në politikë dhe nuk e di ende saktësisht si, a do ta vazhdojë në shoqëri civile apo zë i pavarur. Unë mendjen e kam te mbyllja e një tranzicioni sa më të lehtë në Ministrinë e Jashtme. Në periudhën afatmesme as afatgjatë nuk do t’i bashkohem asnjë partie politike në Kosovë”, tha ai në Kanal 10.
Cakaj është pyetur edhe nëse ka pasur ofertë nga PDK-ja.
“Unë nga pozicioni aktual më takon të shfaq respekt për të gjitha partitë, unë kam miq e shokë në të gjitha partitë, nga pozicioni që jam për mua janë të gjitha. Unë nuk do të bëhem pjesë e PDK dhe asnjë partie në Kosovë edhe për një periudhë tepër të gjatë. Nuk planifikojë të bëhem pjesë e ndonjë organizimi politik në Kosovë”, shtoi Cakaj.
Cakaj gjithashtu është përgjigjur se nëse do t’I bashkohej ndonjë partie në Kosovë, a do të ishte PDK-ja zgjedhja e tij e parë.
“Këtë duhet ta sqarojë koha sepse unë ende po ushtroj detyrën e ministrit të Jashtëm. Respekt për të gjitha partitë politike. Jam munduar të kursehem prej të gjitha komenteve dhe nuk mund të them se cila do të ishte zgjedhja ime e parë ose e dytë, por ju bëjë thirrje të gjithëve mos ta përdorin emrin tim. Do të ishte e shëndetshme që nga anash të reflektoj sesa të marrë anë. Gjithçka do të merr trajtë me kohën por unë nuk do të jem pjesë e politikës në Kosovë. Kjo është personale por fokusi im primar do të jetë mbyllja e studimeve të doktoratës të cilat më kanë mbetur anash”, shtoi ai.