Arb Manaj, ish sulmuesi i Trepçës 89′ këtë vit ka bërë një hap të madh në karrierë.
Manaj ka arritur që të transferohet tek klubi i Ankara Keçiorengucu gjatë merkatos së verës, me ç’rast u ambientua shpejtë dhe filloi me paraqitje fantastike në Ligën e Parë të Turqisë, shkruan GazetaBlic Sport.
Sulmuesi 23 vjeçar tha se fillimi ishte i vështirë, por me ardhjen e Ilir Mustafës u ambientu më shpejtë.
“Kam ndërruar ambient dhe fillimi është i vështirë, por mendoj që kjo levizje për mua ka qenë mjaft pozitive – sepse kam arritur të përshtatem në një kampionat që me të vërtetë është shumë fizik dhe i vështirë. Ardhja e Mustafës më ndihmoi që të ambientohem më shpejtë”, tha fillimisht Arb Manaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai thotë se ka bërë punë të madhe tek klubi turk dhe ka mbështetje të madhe nga të gjithë tek Ankara Keciorengucu.
“Mendoj që puna e madhe që e kam bërë dhe atmosfera në klub që është mjaft e mirë, përkrahja e stafit dhe e presidentit kur të bashkohen të gjitha këto suksesi nuk mungon”, vazhdoi Manaj.
23 vjeçari thotë se ky ka qenë viti më i mirë në karrierën e tij, pasi ka bërë transferimin e jetës.
“Personalisht mendoj që ka qenë viti më i mirë në karrierën time deri me tani, pas suksesit në Superligën e Kosovës bëra transferin e jetës dhe arrita të adaptohem shpejtë, por ky është vetëm fillimi i karrierës sime”.
Sa i përket ndeshjes më të mirë të tij në kampionatin turk, ai potencon se takimi ndaj Adana Demirspor ishte shumë e veçantë, pasi ka realizuar gol ndaj një prej ekipeve më të mëdha në Ligën e Parë.
“Ndeshja më e mirë ka qenë ndeshja kundër Adana Demirspor, sepse janë një ekip shum i madhë dhe e ka ekipin ndër më të mira në Ligen e Parë, unë i dua shumë derbit dhe aty arrita të realizoj dhe t’i sjell ekipit tim fitoren, për mua ishte ndeshja më e mirë e vitit.”
Në fund, Manaj tha se do të punojë shumë që të marrë ftesën nga kombëtarja A e Kosovës.
“Une do të punojë shumë që një ditë të luajë në Kombëtaren A të Kosovës”, përfundoi Arb Manaj.