×
  • Lajme
  • Lajme

    Williams: SHBA-ja të angazhohet për zhbllokimin e dialogut

    Reporteri
    09 Maj 2019 | 23:29

    Një profesor i së drejtës në Universitetin Amerikan dhe njohës i hershëm i çështjes së Kosovës thotë se bllokimi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë tregon mungesën e efikasitetit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se si BE-ja ashtu edhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen për të arritur një zhbllokim.


    “Në të gjitha rastet kur ka pasur përparim të konsiderueshëm përsa i takon Kosovës, kjo ka qenë falë Shteteve të Bashkuara. BE-ja i menaxhon negociatat përsa kohë nuk ka bllokim. Por kur janë të bllokuara, Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë rolin e tyre, sepse amerikanët kanë aftësinë për të identifikuar zgjidhje, si edhe kanë fuqinë ekonomike dhe politike t’i shtyjnë të dyja palët të arrijnë një marrëveshje dhe çka është më e rëndësishme, amerikanët janë në gjendje të sigurojnë një mburojë politike për njërën ose të dyja palët, kur ato nënshkruajnë një marrëveshje. Dhe kur amerikanët japin garanci për diçka në këmbim të një marrëveshjeje, ata e mbajnë fjalën”, ka deklaruar ai.

    Në intervistën për Zërin e Amerikës, ish-këshilltari në negociatat e Rambujesë, thotë se “hendeku i përgjegjësisë” për drejtësinë në Kosovë duhet mbyllur dhe të dyja vendet duhet të shohin përpara.

    Ai ka thënë se nëse një qeveri diskuton një shkëmbim territori ose ndryshim kufijsh, kjo do të ishte legjitime vetëm nëse shumica dërrmuese e popullsisë e mbështet atë.
    “Mendimi im është se duhet të jesh jashtë mase i kujdesshëm për një ndryshim apo këmbim territori, sepse ka aq shumë copëza në hartë në gjithë Ballkanin, Evropën Lindore dhe Qendrore dhe madje edhe në Evropën Perëndimore, ku mund të ketë një mundësi apo një hapësirë për këmbim territori. Në momentin që kjo konsiderohet normale, e pranueshme, atëherë nuk dihet se çfarë reaksioni zinxhir mund të shkaktojë në vende të tjera”, ka thënë ai.

    Profesor Paul Williams e sheh edhe çështjen e tarifës, si një rezultat të dështimit në procesin e ndërmjetësimit të komunitetit ndërkombëtar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!