Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e Dardan Molliqajt dhe 15 anëtarëve të PSD-së sot në Prishtinë.
Arrestimi i tyre ka ndodhur për shkak të aksionit që kanë mbajtur para stacionit të policisë, ndërsa në njoftimin e PK-së thuhet se ata “kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë”, shkruan Reporteri.net.
“Përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, të njëjtit duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty”, thekson njoftimi i Policisë.
Komunikata e plotë e PK-së:
Shoqërohen në stacionin policor gjashtëmbëdhjetë persona
Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra.
Përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, të njëjtit duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty.
Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 16 prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare.
Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë.