Ish-Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani, ka thënë se nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet në këtë mënyrë, ankesat e kandidatëve të pa certifikuar janë pa efekt.
Këto komente Hasani i ka bërë gjatë tryezës virtuale “Kush ka drejtë të kandidojë në zgjedhje?”, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm në këtë mënyrë, atëherë çfarë efekti ka ankesa e kandidatëve të pakënaqur ndaj vendimit të KQZ-së? Nëse ky vendim është obligativ, ai nuk është obligativ vetëm për KQZ-në, por edhe për PZAP-in dhe Gjykatën Supreme, kjo punë është kryer. Nëse veprohet në këtë mënyrë, këto ankesa janë vetëm formale” ka thënë Hasani.
Hasani ka shtuar se gjatë përvojës së tij ka pasur raste kur nuk janë zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi kanë qenë vendime të tilla që gjyqtari që do të zbatonte të njëjtat vendime, do të shkonte në burg për nxjerrje të kundërligjshme të këtyre vendimeve.
“Për këtë arsye, ka vendime të cilat sot e asaj dite nuk janë zbatuar” ka thënë profesori Hasani, duke shtuar se po të ishte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do ta zbatonte Kodin, Kushtetutën dhe Ligjin.