×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi: Vetëm vaksinimi i përgjithshëm ndikon në menaxhim të pandemisë

    Reporteri
    17 Janar 2021 | 11:31

    Gjatë muajit janar ka rënë numri i qytetarëve të Kosovës të prekur me COVID-19 që kërkojnë trajtim spitalor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme.


    Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se ngjarjet e fundit si fushata zgjedhore dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, mund të ndikojnë në rritjen e rasteve me koronavirus në vend.

    Krasniqi tha se meqenëse tashmë ka rënë numri i pacientëve me koronavirus që janë duke u trajtuar në QKUK, është liruar edhe Klinika Internistike dhe së shpejti do nis trajtimi i pacientëve jo Covid në këto klinika.

    “Kemi një numër realtivisht më të ulur në krahasim me javët e kaluara dhe kjo po na mundëson që të rikthejmë shërbimet tjera, ashtu siç kemi bërë me shërbimet e Ambulancat Specialistike dhe nga kjo javë ne kemi liruar edhe Klinikat Internistike, njësia COVID-3 që quhej dhe tani jemi në proces të pastrimit, dezinfektimit dhe përgatitjes që edhe ato klinika të rikthejnë shërbimet e tyre dhe të kthejnë shërbimet për pacientët jo Covid”, tha ai për KosovaPress.

    Meqenëse vendet e botës tashmë janë duke u përballuar me shifra të larta të qytetarëve të infektuar me COVID-19, u.d të drejtorit të SHSKUK-së për KosovaPress, thotë se këtë situatë po e përcjellin me shqetësimë, pasi që ngjarjet që e presin vendin mund të ndikojnë në rritje të rasteve me koronavirus.

    “Ne po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike edhe në vendet në rajon dhe është më të vërtetë një situatë jo e mirë për të mos thënë një situatë e rënduar sa i përket rikthimit të rasteve, fatmirësisht ne si Kosovë kemi një numër relativisht të ulur do dëshironim që qytetarët të vazhdojnë t’i respektojnë masat në masë të madhe, por ngjarjet që i kemi përpara në vazhdim si Kosovë janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë në rritjen e rasteve sërish”, tha ai.

    U.d të drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi tha se nga 5 janar kur janë rifunksionalizuar shërbimet në Ambulancat Specialistike interesimi i pacientëve është i madh.

    “Ne me 5 janar rikthyer shërbimet specialistike në kuadër të Ambulancave Specialistike në këtë ndërtesë dhe vërehet që ka nevojë shumë, ka numër që kërkojnë ndihmë dhe deri më tani e kemi një mesatare prej rreth 130 pacientëve në ditë që marrin shërbime specialistike”, u shpreh Krasniqi.

    Derisa shprehet optimistë që tashmë Kosova ka bërë një plan për mënyrën e organizimit të vaksinimit kundër COVID-19, u.d të drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi beson se vetëm vaksinimi i gjithë popullatës mund të ndikojë në menaxhim të pandemisë.

    “Është me rëndësi që të bëhet vaksinimi i përgjithshëm i popullatës, pra vaksinimi i një numri të vogël të qytetarëve, qoftë personel shëndetësor apo qytetarë të tjerë, të moshuar apo me sëmundje kronike nuk është që mund të ketë efekt të madh në menaxhimin e pandemisë. Prandaj, ne presim që vaksina të arrijë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të filloj vaksinimi i përgjithshëm i popullatës”, u shpreh Krasniqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!