×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj thotë se në këto momente Kosova ka shumë nevojë për SHBA-të

    Reporteri
    11 Maj 2019 | 17:47

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kongresistin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ed Case.


    Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Case dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga liria, pavarësia dhe tani në shtetndërtim, duke vlerësuar se përkrahja e SHBA-së për Kosovën edhe në këto momente është tejet e rëndësishme për proceset zhvillimore të vendit.

    Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi kongresistin Case për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

    “Forcimi i mëtejmë i partneritetit strategjik me ShBA-të, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona është me rëndësi jetike për vendin, sepse orientimi ynë është euroatlantik dhe pro vlerave perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Haradinaj.

    Ai në shenjë mirënjohje i dhuroi kongresistit Case, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut.

    Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ed Case, afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawai-t ofrojnë në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!