Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aksion simbolik para objektit të Katedrales në kryeqytet.
Aktivistë të kësaj partie kanë vendosur portetretin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kontejnerë, shkruan Reporteri.net.
Drilon Pireva, aktivist i PSD-së, ka thënë para medieve se ky aksion lidhet me aderimet e fundit nëpër parti, sidomos në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Kemi vërejtur se shumë persona që kanë adereuar nëpër parti politike, sidomos ata të cilët po thirren në ndryshim, plot prej tyre kanë qenë me akuza dhe iu mjaftonte një fotografi me liderin dhe të gjitha ishin të falura. Leninistë, erdoganistë dhe shumë kategori të tjera ishin në listën e tyre për shkak se është bë ‘çorbë ideologjie’ e që kapakun ia mban lideri suprem, e i cili siç po vërehet është ekspert i reciklimit”, ka thënë ai.
Tutje Pireva u shpreh se paralajmërimi i Kurtit për ndryshim nuk është i vërtëtë.
Pjesëtarë të kësaj partie, përfshirë edhe kreun e saj, Dardan Molliqaj, janë parë me një parullë me fytyrën e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, ku shkruhet ‘shporta e riciklimit’, e të cilat i vendosën në disa kontejnerë.
Në vendin ku po zhvillohet aksioni janë parë edhe forca të shumta të Policisë, të cilët kanë rrethuar objektin e Katedrales.
Ky aktivitet vjen fiks një javë pas arrestimit të 15 aktivistëve të këtij subjekti politik në krye me Dardan Molliqajn, pas një aksioni protestues të ndërmarrë nga aktivistë të këtij subjekti politik, përfshirë vetë Molliqajn, të cilët duke shkruar në muret e stacionit të Policisë, kishin shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qasjes së Policisë karshi partive politike që po i shkelin masat kundër coronavirusit.
“Për partitë tubime, për qytetarët dënime”, kishin shkruar aktivistët e PSD-së në murin e stacionit policor.
Pas lirimit, ata thanë se janë rrahur nga policët brenda pasi ishin arrestuar. /Reporteri.net