×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Michael Gahler kritika ndaj Ramës: Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë evropiane

    Reporteri
    29 Janar 2021 | 13:18

    Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Evropian, Michael Gahler ka shprehur kritika ndaj kryeministrit Edi Rama për reagimin e këtij të fundit për Bashkimin Evropian.


    Duke iu referuar Turqisë, Gahler thekson se Rama duhet të tregohet i kujdesshëm me pazaret joevropiane dhe me shtete jomiqësore ndaj Evropës.

    Gjithashtu, Gahler vë në dukje kushtet e papërmbushura nga Shqipëria për nisjen e negociatave dhe apelon qeverinë që të plotësojë e jo të mohojë kushtet, ndërsa thekson:”Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë evropiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit evropian”.

    Deklarata e plotë:

    Kur bëhet fjalë për kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave të pranimit, miqtë e një Shqipërie evropiane nuk duhet të irritohen shumë dhe për kohë të gjatë nga ata që kanë për detyrë t’i përmbushin! Dmth nga qeveria!

    Konkluzionet e Këshillit Europian janë të ditura, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të ditura, teksti dhe fryma e marrëveshjes së 5 qershorit është e ditur!

    Kjo e fundit është shkelur, ndërkohë që nuk ka progress në shumë kushte.

    -Ligji për median nuk është përmirësuar;

    -zyrtarë të përfshirë në manipulimin e votave i kanë shpëtuar ndjekjes penale;

    -gjithashtu zyrtarë të lartë të qeverisë e ish magjistratë të gjyqesorit të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndjekjes penale;

    -pastrimi i parave mbetet një shqetësim i paadresuar, nisur edhe nga skandali i fundit;

    -kushtetueshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019 ende nuk është sqaruar;

    -ngritja e institucioneve të reja të gjyqësorit është e ngadaltë;

    Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë europiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit europian.

    Këto janë çeshtjet që kam ngritur në forume europiane e do të vazhdoj të ngre për hir të besueshmërisë së vendit dhe të ecurisë së shpejtë drejt anëtarësimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!