Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia Ardian Doçajn, i arrestuar si i përfshirë në pengmarrjen e Jan Prengës.
Me kërkesë të avokatit Tonin Prendi gjykata zëvendësoi masën e tij “arrest në burg” në “detyrim për paraqitje”.
Vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës
Prokuroria e posaçme anti-korrupsion ka zgjatur hetimet dhe me 3 muaj të tjerë për pengmarrjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, i cili u rrëmbye dhe më pas dyshohet se u vra, ngjarje e ndodhur më 17 janar të vitit të shkuar.
Shtyrje e afatit të hetimeve 1 vit pas ngjarjes është bërë për shkak të mungesës së përgjigjes së kërkuar nëpërmjet letër-porosive të dërguara në Ekuador dhe Britaninë e Madhe.
Prokuroria Shqiptare i ka dërguar kërkesë autoriteteve të huaja për të marrë informacion për Dritan (Gramoz) Rexhepin dhe vëllezërit e viktimës Prenga pasi dëshmia e tyre ende konsiderohet kyçe për të zbërthyer jo vetëm pengmarrjen dhe vrasjen e 49-vjeçarit por dhe trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.
Për hetuesit deri më tani prishja e pazareve të drogës është motivi i eliminimit të Jan Prengës, për shkak vëllai i tij në Angli ka marrë në dorëzim një sasi kokaine e më pas nuk e ka dorëzuar por e ka fshehur.
Sipas pretendimit të prokurorisë, nga Ekuadori Rexhepi ka porositur të marrë peng 49-vjeçarin në formë presioni ndaj vëllezërve të tij.
Jani Prenga u rrëmbye pranë banesës së tij në Kamëz, më 17 Janar të vitit te shkuar, u çua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Sipas fotove nga kamerat e sigurisë, Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën.
Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, ndaj kërkimet përgjatë gjithë vitit janë përqendruar në këtë zonë por pa ndonjë rezultat konkret.
Për vrasjen e Prengës deri tani në pranga kanë rënë 6 persona, Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, Olsi Turja, Festim Bixhdili si he Ardian Doçaj. Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jani Prenga kishte humbur jetën.