×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vdekja e biznesmenit të njohur, flet i biri: E gjeta te zyra të shtrirë

    Reporteri
    03 Shkurt 2021 | 14:19

    Më 31 janar ka ndërruar jetë biznesmeni i njohur nga Kukës, Naim Dedja.


    Ai ishte 58 vjeç dhe u gjet i pajetë në zyrën e tij të punës.

    Nga verifikimet paraprake rezultoi se ai nuk kishte shenja dhune në trup dhe vdekja dyshohet natyrale.

    Për të folur për Naim Dedja, sot ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” djali i tij, Arlind Dedja.

    Ky i fundit u shpreh se babai i tij ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak, dhe kjo është konfirmuar nga policia.

    “Babai nuk ka shprehur më herët shqetësime në lidhje me zemrën. Nuk ka patur shqetësime nga ana e Covid. Ai ishte shumë i kujdesshëm pasi kishte probleme me diabetin. Ka bërë shumë teste që të ishte i sigurt”, tha ai.

    Ndërkohë duke folur për ditën kur ndodhi ngjarja e rëndë, Arlindi tha se ka qenë ai që e ka gjetur babanë të pajetë.

    “Babai humbi jetën në zyrën e punës. Ajo ishte pjesa më e vështirë e jetës sime. Po shkoja te puna edhe pse ditë e diel. Në ato momente e pashë se ishte zgjuar para meje dhe kishe ikur te puna. Te puna pashë makinën e tij dhe shkova për ta përshëndetur. Kur hyra te zyra e pashë të shtrirë. Ka ndodhur krejt papritur, jemi shokuar të gjithë. Unë realisht kam qenë shumë i ngushtë me babanë, kam qenë djalë i vetëm pas 3 motrave. E kisha shok, vëlla dhe çdo gjë timen. Diskutoja me të për çdo gjë. Ai më thoshte: “Uroj të ecësh në hapat e mi dhe të bëhesh më i zoti se unë”. Ai më ka lënë amanet që të vazhdoj të merrem me kompaninë. Kam një mision të vështirë, por me bindje do e bëj krenar babanë tim”, tha Arlindi.

    Ndërkohë i pyetur në lidhje me bamirësitë që i ndjeri ka bërë, i biri u shpreh se kishte një shpirt të madh.

    “Babai im ka ndihmuar familjet në nevojë në Kukës. E ka pas gjithmonë shpirtin e madh me njerëzit që e rrethonin. Nuk donte që të shikonte asnjë keq. Për çdo rast, ai çohej e thoshte unë do ta ndihmoj këtë familje. E ashtu bëri edhe me familjet që u prekën nga tërmeti. E një gjë të tillë do e bëj edhe unë”, tha ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!