Një numër i madh i banorëve të Ratkocit të Rahovecit dhe rrethinës i janë përgjigjur thirrjes për dhurim vullnetar të gjakut në aksionin tashmë tradicional, që dje është organizuar për të 13-ën herë në këtë fshat.
Vullnetarë nga fshati Ratkoc dhe fshatrat përreth, që kanë shëndet të mirë, me moton “Dhuro gjak-shpëto jetë!” ia mësyn dyerve të ambulancës për të dhuruar gjakun, shkruan Reporteri.net.
Tashmë 5 shkurti është dita tradicionale për dhurimin e gjakut në Ratkoc. Për mirëvajtjen e aksionit janë kujdesur anëtarët e Këshillit Organizativ të këtij aktiviteti.
Shani Hoti, Koordinator i Këshillit Organizativ ka thënë se pandemia Covid-19, nuk i ka penguar vullnetarët që të shkojnë për të dhuruar gjak.
Ai ka thënë se numri i dhurueseve sa shkon e rritet nga viti në vit, ndërsa në këtë aksion numri i tyre ka kaluar 200, disa prej të cilëve janë dhurues të rinj.
“Kur kanë mbetur edhe dy orë deri në përfundim të orarit, ku deri më tani numti i atyre që kanë dhuruar gjak ka shkuar në 200, e që besojmë se ky numër do të rritet”, ka thënë Hoti.
Ndërkohë vitin e kaluar numri i dhuruesve të gjakut ka shkuar në mbi 240.