Presidenti Hashim Thaçi vazhdon të këmbëngulë në idenë për korrigjimin e kufirit, ndërkohë që thumbon kryeministrin Haradinaj.
I pari i shtetit ka deklaruar të hënën se ideja “korrigjimit të padrejtësive” ia ka pamundësuar nënkryetarit të Listës Srpska, njëherësh i përfolur si udhëheqës i nëntokës në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojçiq, që ta marrë Trepçën dhe veriun e Kosovës.
“E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre. Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, ka thënë Thaçi.
Ky reagim i presidentit Thaçi lidhet me deklarimet e kryeministrit Haradinaj ku tha se e kishte patur të vështirë ta ndal “dialogun që sillte ndarjen e Kosovës” dhe e ktheu atë në dorën e Qeverisë, shkruan Reporteri.net.
“Kur e kam marr detyrën Kosova e kishte dorëzuar vendimmarrjen e vet tek të huajt, krejt temat kryesore tonat të këtij vendi për me vendos, por ishin parapa që me u vendos në tavolinë, dialog. Ne si shtet sovran i kishim çuar këto vendime në tavolinë te Mogherini, Vuçiqi, në këtë rast edhe presidenti ynë. Pra Qeveria ka hequr vendimet prej asaj tavoline dhe ka sjellë në Prishtinë për t’i marrë Qeveria. Kjo ka qenë pak e vështirë me i ndërru do rene, mos me thënë me i idhnu dikon, por fatmirësisht e kemi bërë pa dëme të mëdha, siç thotë populli pa therë në këmbë”, kishte thënë Haradinaj.
Thaçi më tej thotë se e drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre.
Ndryshe, presidenti Thaçi edhe më herët ka potencuar se Milan Radojicic është mik i Haradinajt, me të cilin ka zhvilluar shumë takime./Reporteri.net