×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Masat e reja në Shqipëri: Ndalim qarkullimi pas orës 20:00

    Reporteri
    10 Shkurt 2021 | 13:44

    Ka nisur mbledhja e Komitetit Teknik të Eskpertëve, të cilët kanë vendosur masat e reja në lidhje me përballimin e pandemisë së koronavirusit, e cila po shton një numër të madh të viktimave në vend.


    Paraprakisht, masa e parë që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve është kufizimi i lëvizjes duke filluar nga ora 20:00 që prej ditës së nesërme. Kufizimi deri më tani fillonte nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

    Gjithashtu u vendos që të mbyllet aktiviteti i bareve dhe restoranteve nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit me përjashtim të kateringut, i cili do të vijojë.

    Sa i përket shkollave të mesme, u vendos që në rrethe me risk të lartë si Tirana, Vlora, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Lushnja, Pogradeci dhe Kamza të vijojnë mësimin sipas skenarit tre të masave anti-Covid, i cili parashikon mësim online.

    Masat shtërenguese të miratuara nga Komiteti Teknik sot

    – Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

    – Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.

    – Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.

    – Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.

    Shqipëria po përballet me një numër të rritje të rasteve të reja me koronavirus gjatë javëve të fundit duke detyruar autoritetet që të marrin masa shtesë.

    Vetëm gjatë ditës së djeshme u konfirmuan 1 239 raste të reja dhe 16 viktima. Gjatë ditës së djeshme u shënua rekordi i ri për numrin e të prekurve me koronavirus.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!