“Ne duhet të përgatitemi për faktin se variantet e reja të koronavirusit mund të bëhen dominuese dhe të asgjësojnë sukseset tona me një valë të tretë”.
Paralajmërimi i fortë vjen nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila duke folur në Bundestag mbi menaxhimin e situatës së Covid 19, bëri “mea culpa”, duke pranuar se nuk kishte “bllokuar jetën publike në kohën e duhur ose në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ekzistonte rreziku i një vale të dytë”.
“Në disa vende evropiane tashmë kemi parë një rritje herë pas here dramatike të infeksioneve dhe kjo mund të ketë efekte katastrofike në sistemet shëndetësore”, shtoi Angela Merkel, në deklaratën e saj në Bundestag, duke iu referuar varianteve të reja të koronavirusit.
“Jo gjithçka është studiuar ende në thellësi, por do të bënim mirë të mos dyshonim në vlerësimet e ekspertëve në vend dhe jashtë, kur ata na shpjegojnë se të tre variantet janë shumë më agresive dhe për këtë arsye më ngjitëse, sesa virus origjinal”, tha kancelarja.
Prandaj, është e rëndësishme të marrin masa, “për të parandaluar një rritje të re eksponenciale të infeksioneve”, paralajmëroi Merkel.
“Ne duhet të vazhdojmë të jemi të durueshëm dhe elastikë” në luftën kundër pandemisë, kujtoi Merkel, e bindur se, “në fund, do të jemi në gjendje të fitojmë dhe ta drejtojmë vendin tonë drejt kohërave më të mira”.
Duke mbrojtur para deputetëve masat e rrepta të kontrollit të virusit ende në fuqi në Gjermani, kancelarja megjithatë, donte të nënvizonte se, “numri i viktimave po zvogëlohet, tendenca duket se është përmbysur”.
Ajo shtoi se, mund të ketë akoma “zhvillime të pakëndshme” për shkak të varianteve të reja të virusit dhe këshillohet që “të qëndroni shumë të kujdesshëm”.
Është e gabuar, sipas Merkel, “të planifikosh data të sakta” në lidhje me fundin e bllokimit dhe masave të ndalimit në përgjithësi.
“Më mirë të orientoheni duke parë incidencën e infeksioneve. Virusi nuk ndjek kalendarin”. Qeveria federale dhe rajonet gjermane, vendosën në samitin e djeshëm të zgjasin bllokimin në vend – aktualisht një nga më të rreptët në Evropë – deri në 7 mars, me përjashtime në lidhje me shkollat dhe kopshtet, si dhe parukierët, në mënyra të ndryshme sipas rajoneve.
Në 24 orët e fundit, infeksionet e reja në Gjermani ishin 10,237, por vdekjet ishin akoma shumë, 666 vetëm në një ditë.
Numrat janë ulur prej më shumë se një muaji, por ato mbeten të rëndësishme, pavarësisht se vendi është në bllokim që nga 16 dhjetori i kaluar.
Restorantet, baret dhe diskotekat janë të mbyllura që nga 2 nëntori. Vala e dytë shkaktoi një dëm të jashtëzakonshëm: në fillim të dhjetorit Gjermania numëronte 16,636 vdekje që nga nisja e pandemisë, ndërsa sot ka 63,635. Pra, kanë vdekur 47,000 njerëz në më pak se dy muaj e gjysmë.