Rinovimi i kontratës me portierin Gianluigi Donnarumma është një nga prioritetet e drejtuesve të Milanit, pasi gardiani 21-vjeçar është futur në muajit e fundit të bashkëpunimit me kuqezinjtë dhe në verë mund të largohet si lojtar i lirë.
Negociatat me menaxherin e Donnarummës, Mino Raiola, vijojnë prej muajsh, megjithatë oferta dhe kërkesa janë ende larg, ndaj sa më shumë kalojnë ditët, aq më i komplikuar bëhet edhe rinovimi i portierit.
Milani ka propozuar një kontratë 5-vjeçare, me vlerë deri në verën e 2026-ës dhe me pagë 7 milionë euro në sezon, një më tepër se paga aktuale, por edhe me bonus një milionë euro në rast arritjeje të zonës Champions dhe një milionë euro të tjera në rast fitimi të titullit kampion.
Nga ana tjetër Raiola duket se nuk ka ndërmend ta lërë gjatë portierin në Milano dhe është treguar i gatshëm vetëm për një rinovim një vjeçar, deri në verën e 2022-shit, por me pagë 10 milionë euro.
Në këtë rast një zgjidhje mund të japë vetë futbollisti, i cili mund të vendosë të qëndrojë gjatë te kuqezinjtë dhe të pranojë kontratën 5-vjeçare, megjithatë Raiola është një mjeshtër i këtyre situatave dhe kërkon të shfrytëzojë kohën e paktë në dispozicion, për të rritur ndjeshëm fitimet e klientit të tij.
Ndërkohë klube si Chelsea dhe Paris Saint Germain, të cilat nuk kanë gjetur ende portierët idealë për organikat përkatëse, po monitorojnë me interes situatën dhe janë gati të hidhen në sulm, nëse Donnarumma rinovon bashkëpunimin me Milanin.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.