Kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim delegacionin amerikan të Lutjeve të Mëngjesit, të cilët qe sa ditë po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.
Pas takimit, Thaçi në Facebook ka shkruar se bashkimi ynë dhe koordinimi me SHBA-në i kanë sjellë gjithmonë suksese Kosovës.
Edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli sot ka pritur në takim këtë delegacion. Veseli ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet promovuese e paqes, respektit dhe fqinjësisë së mirë, por gjithashtu edhe kultivuese e barazisë dhe mirëkuptimit midis komuniteteve etnike dhe konfesioneve të ndryshme. Ai ka falënderuar Kongresin dhe shtetin amerikan për mbështetjen e parezervë për Kosovë në të gjitha etapat, ndërsa konfirmoi edhe njëherë miqësinë e pathyeshme midis Kosovës dhe SHBA-ve. Kryesuesi i delegacionit të Lutjeve të Mëngjesit, kongresisti Randy Hutgren, nga ana e tij, u shpreh i nderuar që gjendet për vizitë në Kosovë dhe pati rastin të njihet nga afër me zhvillimet në vendin tonë.Në takim ishin të pranishëm edhe deputetë të tjerë të Kuvendit, të angazhuar në aktivitetet e Lutjeve të Mëngjesit.
Dje, ky delegacion ka zhvilluar takim edhe me kreun e Qeverisë, Ramush Haradinaj. Kryeministri i ka falënderuar ata për vizitën dhe i ka njoftuar ata për të arriturat e Republikës së Kosovës, prioritetet e Qeverisë, zhvillimin ekonomik të vendit, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, rolin dhe kontributin e Kosovës në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe tema të rëndësishme për vendin.