×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti po i fiton zgjedhjet, por jo edhe ‘referendumin’ e tij – VV 48,01%

    Reporteri
    15 Shkurt 2021 | 2:37

    “Vetëvendosje 51%” dhe “Referendumi” ishin fjalët kyçe të Albin Kurtit dhe partisë së tij, për gati dy muaj periudhe zgjedhjesh të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Ndonëse, asnjëra prej tyre nuk u realizuan krejtësisht, ajo që dihej e edhe pritej, 14 shkurti 2021, Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje po i bën fitues bindshëm të zgjedhjeve, me një rezultat tejet diferencial me partitë tjera. Shumë pranë 51 përqindshit, por jo 51%, VV po po fiton më 48,01% të votave


    Më pak se 100 vendvotime në gjithë Kosovën kanë mbetur pa u proceduar në rezultate preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Përkundër, se të dhënat nuk janë ende krejtësisht të plota, nga 96,01% të tyre sa janë publikuar, gjasat për ndonjë ndryshim të madh në rezultatin preliminar janë të vogla, shkruan Reporteri.net.

    Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurtin, janë fituesit e bindshëm të këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

    LVV ka siguruar 48,01% të rezultatit preliminar, me 364 mijë e 753 vota të numëruara deri më tani. Pasuar nga PDK-ja e Enver Hoxhajt, që në përqindje është hiq më pak se mbi 10% përqind prapa, më 17,42% rezultat preliminar, më 132.349 vota të numëruara deri më tani.

    LDK-ja ka shënuar rezultatin më të dobët në histori të saj, duke rënë në 13,21%, më vetem 100.336 vota të numëruara aktualisht, raporton Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    AAK e Ramush Haradinajt, ashtu sikur në zgjedhjet e kaluara, ka zënë vendin e 4 në renditje. Këtë herë më 7,44 përqind të votave, me 56 mijë e 531 sosh të numëruara.

    NISMA e Fatmir Limajt, ashtu siç pritej, s’ka asnjë gjasë të jetë në Kuvend. Partia e cila në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me një proces të dyshimtë ankesash kaloi pragun zgjedhorë, këtë herë ka rënë shumë nën të, në 2.62%, duke mos arritur që kësaj herë të mos i grumbullojë as 20 mijë vota.

    Sipas KQZ-së në zgjedhjet e së dielës kanë votuar 843 mijë e 862 votues, në 2 mijë e 382 vendvotime, shkruan Reporteri.net.

    Deri më tani, sipas KQZ’së, jenë numëruar votat nga 2287 vendvotime nga 2382 sosh.

    Megjithatë, gjasat që Albin Kurti, me Vjosa Osmanin në krah, të fitojë edhe “referendumin” e tij, pas numërimit të votave me postë dhe atyre më kusht, janë shumë reale.

    Gjithçka do të dihet gjatë ditëve në vijim, kur të publikohen rezultatet finale dhe të certifikohen ato.

    Ajo që është e sigurt qysh sot është se legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës do të duket krejtësisht ndryshe nga të tjerat e 20 viteve të fundit, dhe se Albin Kurti do t’i ketë mbi 55 deputetë të partisë së tij të ulur në Kuvend. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!