Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tentuar zbutjen e përplasjeve diplomatike me Turqinë aleate në NATO, e cila ka thirrur të hënën në bisedë informative ambasadorin amerikan lidhur me një deklaratë rreth vrasjes së 13 turqve të rrëmbyer në Irak.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar hezitimin fillestar të Departamentit amerikan të Shtetit për t’ia ngarkuar fajësinë Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) për vdekjet, duke e quajtur “farsë” deklaratën e SHBA-së.
Turqia ka njoftuar të dielën se luftëtarë të PKK-së kanë ekzekutuar 13 të rrëmbyer, mes të cilëve kishte pjesëtarë të personelit ushtarak dhe policor të Turqisë. PKK-ja ka fajësuar sulmet ajrore të Turqisë për 13 vdekjet.
SHBA-ja fillimisht ka bërë të ditur se i dënon vrasjet, në rast se konfirmohet përgjegjësia e PKK-së. Ankaraja, veçse e zemëruar me Washingtonin lidhur me partneritetin e tij me luftëtarët kurdë në Sirinë fqinje, është revoltuar nga kushtëzimi i deklaratës amerikane dhe ka thirrur për bisedë informative ambasadorin amerikan në Ankara në reagimin e ashpër ndaj deklaratës.
Gjatë së hënës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një telefonate me homologun e tij turk, Mevlut Çavushoglu, ka shprehur ngushëllime për të vdekurit dhe ka thënë se Washingtoni beson se PKK-ja është përgjegjëse për rastin.
“Sekretari ka shprehur ngushëllime për vdekjen e pengjeve turke në veri të Irakut dhe ka afirmuar qëndrimin tonë se terroristët e PKK-së e bartin përgjegjësinë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Turqia ka ndërmarrë muajin e shkuar një operacion ushtarak ndaj bazave të PKK-së në veri të Irakut, për të cilin Erdogani ka thënë se ishte i destinuar për lirimin e 13 pengjeve.
Së paku 48 pjesëtarë të grupit të armatosur kurd janë vrarë gjithashtu gjatë operacionit, ka njoftuar Ministria turke e Mbrojtjes.
PKK-ja, e cilësuar si grup terrorist nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë të Turqisë, ka zhvilluar rebelim të armatosur kundër shtetit turk që nga viti 1984, në atë që besohet se ka shkaktuar me dhjetëra mijëra të vdekur. \ AP