×
  • Lajme
  • Botë

    Ligji anti-islam, parlamenti francez miraton draftin e kontestuar kundër ekstremizmit

    Reporteri
    16 Shkurt 2021 | 23:55

    Parlamenti francez miratoi të martën ligjin e posaçëm për t’i bërë kontrast rritjes së Islamizmit në disa qytete të vendit, që sipas qeverisë përbëjnë kërcënim për unitetin e republikës.


    Drafti është i përshtatur në formën e një teksti që përforcon vlerat thelbësore të Francës dhe parimet e lirisë dhe barazisë, pa veçuar ndonjë besim fetar të caktuar, por duke dënuar praktikat si martesat e detyruara apo testet e virgjërisë.

    I publikuar me rastin e 115-vjetorit të miratimit të ligjit që ruajti ndarjen e shtetit nga feja në Francë, ligji është cilësuar si sulm ndaj Islamit nga e majta dhe shumë i dobët nga e djathta ekstreme.

    Drafti u miratua me 347 vota pro dhe 151 kundër në dhomën e ulët të Parlamentit, ku blloku i qendrës i presidentit Macron dhe aleatëve të tij kanë shumicën. Tani drafti kalon në Senat, ku shumica dominohet nga opozita e qendrës së djathtë.

    Franca përjetoi një valë sulmesh me sfond islamik në vjeshtë dhe frenimi i ekstremizmit, ruajtja e identitetit francez dhe siguria e brendshme do të jenë çështje të nxehta në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

    Debati mbi ligjin u bë më intensiv pas ngjarjes së 16 tetorit, kur një adoleshent mysliman i preu kokën një mësuesi gjimnazi, si ndëshkim për publikimin e karikaturave të profetit Muhamed.

    “Lufta kundër separatizmit ka qenë një domosdoshmëri për interesin kombëtar. Tragjeditë e ndodhura e kanë bërë atë një emergjencë morale. Ndaj çfarë përmban ky ligj? Së pari, ai garanton nevojën tonë për laicizëm dhe së dyti, ai mbron viktimat e separatizmit, qoftë fizikisht apo online”, tha Guillaume Vuilletet, deputet i “La Republique en Marche”.

    Ligji përfshin masa më të ashpra kundër aktiviteteve ekstremiste online, mbikëqyrje më të rreptë të shoqatave fetare dhe kufizime për arsimimin e fëmijëve jashtë shkollave tradicionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!