Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar sot me ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka thënë se ka biseduar për disa tema, ku përfshihet edhe takimi i fundit në Berlin.
Haradinaj ka theksuar se temë diskutimi ka qenë edhe roli i Gjermanisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe stabilitetit në rajon, shkruan Reporteri.net.
“Takim i rregullt me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, me të cilin biseduam për takimin e Berlinit, pritjet nga takimi i Parisit dhe rolin konstruktiv dhe konsistent të Gjermanisë karshi Kosovës, ruajtjes së integritetit territorial të vendit dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, kryeministri ka potencuar se ka falenderuar ambasadorin për mbështetje politike, por edhe financiare, duke thënë se i ka kërkuar edhe vazhdimin e kësaj mbështetjeje.
“E falënderova Ambasadorin Heldt për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe financiare për proceset e rëndësishme të qeverisjes në vend dhe kërkova që kjo mbështetje të vazhdojë, siç shpreha përkushtimin tonë për të çuar përpara agjendën bilaterale mes dyja vendeve”, ka shtuar kryeqeveritari.
Ndryshe, Haradinaj kohën e fundit është thirrur se ëshë në vijë me qëndrimin e Berlinit, sidomos lidhur me idenë e korrigjimit të kufirit, armiku më i madh i të cilës ishte shteti gjerman./Reporteri.net