×
  • Lajme
  • Lajme

    Profesori kroat nesër do ta thotë fjalën e fundit për ariun

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 16:18

    Slaven Reljiq, profesor në Universitetin e Zagrebit, sonte pritet që të vijë në Kosovë. Ai do ketë një mission të veçantë.


    Nuk pritet të mbajë ligjëratë me studentë por ka për detyrë që t’i udhëzojë institucionet kosovare rreth mënyrës së si të veprojnë me ariun e murrmë, i cili ka më shumë se një muaj që po endet maleve e rrugëve të Prizrenit. Madje një familjes atje, ky ari, raportohet se ia ka mbytur disa dele e gjedhe.

    Diskutimet me profesorin Slaven Reljiq, do të fillojnë nesër në orën 09:00 të mëngjesit si dhe do të zgjasin dy ditë.

    Pjesëmarrës në takim do të jenë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, të Agjencionit për mbrojtjen e mjedisit, të Inspektoratit të Agjencisë së Pyjeve si dhe zyrtarët e parkut nacional të Sharrit.

    Zyrtarë nga Strehimorja “Pylli i Arinjve”, aty ku strehohen të gjithë arinjtë të cilët kanë qenë të shpërndarë në të gjithë Kosovën, kanë deklaruar për Express të mërkurën se sjellja, akomodimi i profesorit kroat si dhe përgatitjet e tjera për konferencën u kanë kushtuar atyre rreth 1 mijë euro.

    “Profesori sot në mbrëmje do të jetë në Kosovë. Nesër në mëngjes ne do ta nisim takimin me të dhe zyrtarë të tjerë të shumë institucioneve që janë të përfshira rreth çështjes se si duhet reaguar me ariun e murrmë”, ka deklaruar menaxheri i këtij pylli, Agim Mahmuti.

    Kujtojmë se Inspektorati i Agjencisë së Pyjeve kishte urdhëruar që ariu brenda afatit kohor prej 15 ditëve të zihet dhe të vritet. Por kundër këtij vendimi kishin dal institucione të ndryshme kosovare duke u nisur prej zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit ndërsa kishin shpërthyer edhe reagime në rrjetet sociale.

    Kreu i kësaj ministrie, Fatmir Matoshi, i tha të mërkurën Expressit se nuk do të lejojnë që ariu të vritet si dhe ai paralajmëron padi ndaj secilit zyrtarë apo person tjetër që e vret atë.
    “Ne i qëndrojmë pas deklaratave. Ariu nuk duhet të vritet. Andaj po bëjmë thirrje që një gjë e tillë të mos ndodhë”, i tha Matoshi gazetës.

    Ai deklaroi se nesër do të marrin pjesë në takimin me profesorin kroat i cili do t’i udhëzojë ata rreth mënyrës se si duhet vepruar me ariun.

    Kujtojmë se në fshatin Pousk të Prizrenit pronarit të deleve Ramell Demiri ariu dyshohet se ia ka mbytur 28 copë . Po ashtu edhe Tusun Krasniqi nga lagja Tusus Prizren, kishte qenë në hall me ariun. Atij ju kishin sulmuar mbi 5 koshere me bletë.

    E ariu problematik i Prizrenit ‘debutimin’ e tij të parë e kishte bërë në muajin prill të këtij viti.

    Kujtojmë se Reporteri.net ka zhvilluar një intervistë me drejtorin e Parkut Nacional “Sharri” Bajram Kafexholli i cili ka treguar sa arinj gjithsejtë janë në rajonin e Prizrenit dhe sa në gjithë Parkun, ndërsa ka treguar se tre arinj po lëvizin afër vendbanimeve.

    Frikë nga arinjtë në Prizren: Tre të tillë po lëvizin afër vendbanimeve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!