×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Gjakovës mbështet banorët e 6 fshatrave që protestuan kundër gurëthyesit në Kusar

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 16:43

    Me pankarta  në duar “Stop shkatërrimit të natyrës”, “Mos na shkatërroni ardhmërinë”, “Stop shkatërrimit të mjedisit”, banorët e gjashtë fshatrave të Gjakovës, Kusar, Dol, Pjetërshan, Lipovec, Raçë dhe Moglicë sot në ora 11:00 protestuan në vendin e quajtur ‘Shpella e Kusarit’, shkruan Reporteri.net.


    Shkak i protestës nga ana e banorëve është mbrojtja e natyrës nga gurthyesit, dëmtimit të pyjeve dhe natyrës në përgjithësi.

    Kundër gurëthyesit e pro banorëve që po protestojnë ka dalë edhe Komuna e Gjakovës.

    Kryetari i kësaj komune Ardian Gjini thotë se ashtu si banorët e fshatrave të rajonit të Hasit edhe ai është i shqetësuar lidhur me trajtimin e zonës për rreth Shpellës së Kusarëve dhe ndërtimin e gurthyesit në afërsi të saj.

    Gjini thotë se për këtë problematikë i është drejtuar me kërkesë zyrtare me datë 10 maj, Ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrit të Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës si dhe kryeministrit Haradinaj lidhur me ndalimin e eksploatimin dhe thërrmimin e gurit gëlqeror në fshatin Kusar.

    “Komuna e Gjakovës praktikisht nuk jep leje për veprimtari të tilla dhe me anë të asaj shkrese ne kemi kërkuar që të revokohet ajo leje e cila ka ndodhur pa dijenin time”, thotë Gjini.

    Ai shton më tej se Komuna gjatë këtij viti parasheh që të investoj në këtë zonë dhe ta kthejë në pikë turistike.

    “Ne kemi tenderuar dhe po ndërtojmë shtigjet për hapjen e shpellave në fshatin Kusar, gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës jemi duke ndërtuar rrugën për tek ‘Maja e Kunorës’, një tjetër zonë turistike e komunës së Gjakovës. Lus operatorët dhe qytetarët që njoftimet që lëshon komuna e Gjakovës të mos i përdorin si leje sepse ato nuk janë të tilla”, ka deklaruar Gjini. /Reporteri.net/.

    6 fshatra të Gjakovës protestojnë kundër gurthyesit

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!