×
  • Lajme
  • Botë

    Joe Biden merr vendim për kartonin e gjelbër

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 8:04

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden anuloi të mërkurën një urdhër të paraardhësit të tij që bllokonte shumë aplikantë të kartës së gjelbër të hynin në Shtetet e Bashkuara.


    Ish-Presidenti Donald Trump e lëshoi masën e ndalimit vitin e kaluar, duke thënë se ishte e nevojshme për të mbrojtur punonjësit amerikanë në mes të nivelit të lartë të papunësisë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Biden e hodhi poshtë atë arsyetim në një deklaratë të mërkurën që shfuqizonte ndalimin e vizave.

    Presidenti demokrat tha se ajo masë kishte penguar familjet që të bashkoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe dëmtonte bizneset amerikane.

    Demokrati Biden, ka premtuar të shfuqizojë shumë nga politikat e ashpra të imigracionit të Trump. Grupet për mbrojtjen e imigrantëve kishin kërkuar javët e fundit që ai të hiqte ndalimin e vizave, i cili kishte afatin të skadonte më 31 mars.

    Biden la në fuqi një tjetër masë që ndalon shumicën e punëtorëve të huaj të përkohshëm.

    Në tetor, një gjykatës federal në Kaliforni bllokoi ndalimin e Trump për ata punëtorë të huaj pasi prekte qindra mijëra biznese amerikane që e sfiduan atë vendim në gjykatë.

    Curtis Morrison, një avokat imigracioni në Kaliforni, i cili përfaqëson personat e prekur nga ndalimi tha se Biden tani do të duhet të trajtojë çështjen e një numri të madh kërkesash që janë zvarritur prej muajsh ndërsa pandemia ndërpreu pjesën më të madhe të procedurave nga Departamenti i Shtetit. Procesi mund të zgjasë me vite, tha ai.

    Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./voa/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!