Ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth ariut të murrmë në Prizren nëse duhet të vritet apo jo, kjo pasi Inspektorati i Agjencionit të Pyjeve, ka dhënë autorizim për vrasjen e ariut, pas shqetësimeve të ngritura nga banorët e kësaj komune.
Por zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi ka bërë të ditur se ariu në Prizren nuk do të vritet, duke thënë se ka pasur një keqkuptim në vendimin për rastin në fjalë.
“I është dhënë konotacion tjetër. Ka pas shqetësime për dëmet që po i bën. Mirëpo, ligji s’lejon të vriten kafshët. Edhe ne kemi tentuar përmes inspektoratin të bëjë asgjësimin, por jo vrasjen. Për shembull përmes gjilpërave, jo për t’ia marrë jetën. S’jemi për t’ia marrë jetën. S’është lexuar mirë, apo ai që e ka shkruar ka gabuar me një fjalë apo diçka të tillë. Qëllimi ishte të bëhet asgjësimi. Të lihet në zona të tjera e jo në zona të banuar. Ne si institucion s’guxojmë të bëjmë një gjë të tillë”, ka deklaruar Krasniqi në KTV.
Tutje ai ka shtuar se, “jemi me ligjin. S’do të lejohet vrasja, por nëse shihet do të bëhet asgjësimi. Të dërgohet në hapësirë tjetër”.
Kujtojmë se sonte në Prishtinë vije Slaven Reljiq, profesor në Universitetin e Zagrebit, i cili ka për detyrë që t’i udhëzojë institucionet kosovare rreth mënyrës së si të veprojnë me ariun e murrmë, i cili ka më shumë se një muaj që po endet maleve e rrugëve të Prizrenit.