Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, ka publikuar sot para gazetarëve disa fotografi shokuese se si tre paramilitarë serbë e dhunuan një grua shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Kjo dëshmi tronditëse, siç thotë Flora Brovina, është marrë nga një aparat fotografik i një ushtari serb.
Brovina deklaroi se kjo grua që ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është gjallë dhe e gatshme të dëshmojë për këto krime, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo në seancën plenare të Kuvendit që sapo ka filluar, e ku po diskutohet mbi nismën për krijimin e një Tribunali që do të gjykonte krimet serbe në Kosovë, deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci ka thënë se familjarët e gruas së paraqitur në fotot e publikuara nga Brovina janë shumë të shqetësuar dhe kërkojnë që ajo fotografi të largohet.
Bogujevci akuzoi Brovinën se publikimi i saj fotografie ka qenë veprim i pamenduar mirë, ngase mund të ketë pasoja në jetën e gruas që paraqitet në foto.
“Është komplet e padrejtë ajo që u bë. Imagjino nëpër çfarë trauma kalon viktima kur e sheh atë fotografi të shpërndarë. Kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ajo. Nuk e di a ke qëlluar ti me të ndodhë diçka e tillë, dhe me e pa veten në atë gjendje. Si pasojë e asaj fotografie ajo mund të identifikohet dhe mund t’i ndodhë diçka më e keqe”, është shprehur Bogujevci.
Ndërkohë pas fjalës së saj ka ndërhyrë kreu i Kuvendit, duke thënë se Vasfije Krasniqi-Goodman është heroinë që ka dëshmuar se çfarë ka ndodhur, duke bërë thirrje që të mos devijohet nga ideja se për çfarë ishin mbledhur në Kuvend./Reporteri.net