×
  • Sport
  • Sport

    “U frikësua nga topi” – Ronaldo fajësohet për eliminimin e Juventusit nga Liga e Kampionëve

    Reporteri
    10 Mars 2021 | 10:03

    Cristiano Ronaldo ka marrë shumë kritika për eliminimin e Juventusit nga Liga e Kampionëve të martën kundër Portos.


    Në një ndeshje drithëruese në 1/8 e finales në Torino, Porto ia doli ta eliminoi kampionin italian megjithëse luajti me një lojtar më pak për më shumë se një orë, falë golave si mysafir, pasi rezultati i përgjithshëm ishte 4:4, transmeton Gazeta Express.

    Fabio Capello, Alessandro Del Piero dhe Paolo Condo e kritikuar Ronaldon, njeriun që Juventusi e solli me shumë bujë para tri vjetëve për t’ia fituar trofeun e shumëkërkuar evropian, për dështimin e sivjetshëm.

    Ish-trajneri i Milanit, Real Madridit dhe Anglisë Capello e kritikoi portugezin për vendosjen në murin mbrojtës te goli i Sergio Oliveira në çastet e fundit të ndeshjes.

    Sipas tij, Ronaldo kishte frikë se do goditej nga topi dhe e lejoi topin t’i kalojë nën këmbë para se të përfundonte në rrjetë.

    “Ronaldo kërceu dhe e ktheu shpinën. Kushdo që vendoset në murin mbrojtës nuk duhet të frikësohet se topi do ta godasë. Është gabim i pafalshëm dhe nuk mund të arsyetohet”, tha Capello.

    Ndërsa, legjenda e Juventusit Del Piero ishte më i butë me portugezin.

    “Ronaldo ka përgjegjësi, natyrisht. Ai nuk pati shumë raste shënimi, por e humbi një mundësi të mirë me kokë nga një pozitë prej të cilës ai shënon gjithmonë. Ai nuk mund të jetë fajtori i vetëm i dështimit të Juves. Juventusi luajti me një lojtar më shumë për më shumë se një orë”.

    Gazetari Paolo Condo, i cili ishte në panelin e njëjtë me Capellon dhe Del Pieron, ishte i drejtpërdrejt.

    “Cristianon e blenë për të garuar në nivelin më të lartë në Ligën e Kampionëve. Në dy sezonet e kaluara ekipi dështoi, këtë herë dështoi edhe Ronaldo. Para ndeshjes e pyeta Paraticin për rinovimin e tij, mendoj se në këtë çast ai do të ma jepte një përgjigje negative”. /Gazeta Express/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!