Në një deklaratë për mediat jashtë selisë së Kuvendit, kandidati për deputet në qarkun e Beratit tha se tashmë i ka ikur koha skenave të errëta dhe krimit të organizuar dhe ka ardhur koha e deputetëve të rinj të demokracisë.
Ai gjithashtu i ka bërë thirrje gjithë popullit shqiptar që më 25 prill të votojnë opozitën e bashkuar për të mposhtur sektin kriminal qeverisës.
“Kjo konferencë ka të bëjë me këto 10 ditë të nisjes së fushatës elektorale në mbarë vendin por dhe në qarkun e Beratit, por edhe me veprimet e fundit dhe akuzat midis palëve.
Veprimet banditeske në Elbasan, por dhe qëndrimet e Presidentit të Republikës në konferencat e tij për shtyp dhe në daljet publike.
Dua t’i bëj thirrje gjithë shqiptarëve që vota për LSI, për opozitën e bashkuar është një votë kundër sektit kriminal, korrupsionit, mashtrimit elektoral të vitit 2017 për legalizime falas, shëndetësi falas.
Ky parlament duhet të përfundojë dhe të vijnë këtu deputetë të rinj të demokracisë.
Dua t’ju them të gjithëve që edhe Presidenti po luan një rol vendimtar për të mbrojtur demokracinë dhe për fatin e vendit më 25 prill, sepse në të kundërt ne do të kalonim në diktaturë me pushtet monist.
I bëj thirrje policisë së shtetit, të distancohet nga të gjitha veprimet dhe urdhrat politikë. Ajo ka për detyrë depolitizimin dhe urdhrat në zbatimin të ligjit, vendosje të rendit dhe luftën ndaj krimit.
Ka ikur koha ndaj skenave të errëta, e krimit të organizuar, varfërisë së oligarkëve.
Ka ardhur koha e një referendumi të madh më 25 prill.
Kohët e fundit patë edhe një fluturim nga ajri në Berat, i pesti , më vjen keq për Klosin, por nuk merren votat nga ajri. Je i djegur automatikisht, në Berat nuk merr më shumë se tre mandate Partia Socialiste.”