×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA dhe Japoni bëhen bashkë kundër Kinës

    Reporteri
    16 Mars 2021 | 13:35

    Amerika dhe Japonia do e forcojnë aleancën dypalëshe teksa Kina rrit ndikimin e vet në rajon.


    Të martën dy vendet mbajtën takime në nivel ministrash të jashtëm dhe të mbrojtjes, duke u fokusuar te siguria dhe kërcënimet që Pekini i kanos zonës së Indo-Paqësorit në kontekstin ushtarak, ekonomik dhe të drejtat e njeriut.

    “Kina po i arrin objektivat e vet me shtrëngim. Ne duhet të punojmë me aleatët, sepse fuqia jonë e kombinuar na bën më të fortë kur t’i kthehemi agresionit dhe kërcënimit kinez,” theksuan dy Sekretarët amerikanë të Shtetit dhe Mbrojtjes.

    Kryediplomati Entoni Blinken e konsideroi rritjen e Kinës si superfuqi aziatike, testin më të madh gjeopolitik të shekullit të 21-të.

    “Japonia dhe SHBA-ja do kenë një qëndrim të qartë ndaj përpjekjes së njëanshme të Kinës për të ndryshuar statukuonë,” tha ministri i Jashtëm japonez.

    Vizita në Japoni është pjesë e turit diplomatik që administrata amerikane do e vijojë të mërkurën edhe në Korenë e Jugut.

    Përveç kërcënimeve kineze, bisedimet do të përqendrohen edhe te tema, si pandemia, ndryshimet klimatike apo çarmatimi bërthamor i Koresë së Veriut.

    Kim Jo-xhong, motra e udhëheqësit koreanoverior, Kim Xhong-un, apeloi gjatë ditës Uashingtonin të ketë një qasje konstruktive në raportet me Phenianin nëse dëshiron paqen në katërvjeçarin e ardhshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!