Barcelona e ka shkelur plotësisht Real Sociedadin duke e mundur bindshëm 6:1, në një ndeshje vendimtare për të në garë për titull në La Liga të dielën.
Sergino Dest me dy herë dhe Antoine Griezmann, Lionel Messi e Ousmane Dembele nga një herë shënuan për fitoren e madhe të skuadrës së Ronald Koemanit në San Sebastian, ndërkohë që Ander Barrenetxea Muguruza e shënoi golin ngushëllues për vendasit, raporton Gazeta Express.
Kjo fitore, e cila është e pesta radhazi për katalonasit në ligë, nënkupton që Barça tani mbledh 62 pikë në vendin e dytë në tabelë, vetëm katër larg liderit Atletcio Madrid, 10 ndeshje pa përfunduar sezoni 2020/21.
Real Madridi, ndërkohë, ngel në pozitën e tretë në tabelë me 62 pikë.
Megjithëse mbizotërimin e shtriu qysh herët, Barçës iu desh të priste deri në minutën e 37-të për ta thyer akullin, kur Griezmann shënoi pas një topi të kthyer nga portieri, i cili paraprakisht e kishte pritur goditjen e Dembeles në një aksion fantastik të katalonasve.
Dest e dyfishoi epërsinë pesë minuta më vonë, kur u shërbye për mrekulli nga Messi.
Mbrojtësi amerikan e shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Barcelonën në minutën e 53-të, këtë herë pas një asisti nga Jordi Alba.
Messi e çoi në katër epërsinë e vizitorëve kur i iku grackës së pozitës jashtë loje dhe e mposhti portierin nga afërsia, pasi mori një top të gjatë fantastik nga Sergio Busquets.
Dembele i dha një goditje tjetër vendasve në minutën e 71-të, kur shënoi gol individual për 5:0.
Golin e ngushëllimit për Sociedadin e realizoi Muguruza pas një aksioni të bukur të vendasve, duke e bombarduar portën e Marc-Andre ter Stegen.
Messi i dha vule fitores së madhe të Barçës duke shënuar nga afërsia, pas një kombinim të zakonshëm me Alban në çastet e fundit të ndeshjes.
Në ndeshjen e ardhshme, Barcelona përballet me Real Valladolidin.