Të paktën 137 civilë në Niger u vranë të dielën në një sulm që ndodhi në disa lokacione afër kufirit me Malin, bëri të ditur qeveria e këtij shteti afrikan përmes një deklarate të publikuar në orët e vona të së hënës.
Zëdhënësi i qeverisë, Abdourahamane Zakaria, tha se së paku 137 persona u vranë dhe disa të tjerë u lënduan gjatë sulmeve, duke shtuar se në zonë janë dërguar përforcime të forcave të sigurisë, ndërsa autoritetet kanë filluar hetime për këtë rast.
Ai gjithashtu njoftoi se qeveria do të shpallë tri ditë zie kombëtare për t’i nderuar viktimat e sulmit të tmerrshëm, shkruan Anadolu.
Ky ishte sulmi i dytë vdekjeprurës ndaj civilëve në Niger brenda një jave. Më 15 mars, disa persona të armatosur vranë së paku 58 civilë në rajonin Tillaberi.
Nigeri, Burkina Faso dhe Mali janë bërë epiqendër e një prej evakuimeve më të mëdha të popullsisë në botë për shkak të krizës së sigurisë dhe sulmeve nga grupet e armatosura.
Në rajonin Sahel janë rreth 851.000 refugjatë dhe përafërsisht dy milionë persona të zhvendosur, sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.