Disa vende perëndimore u kanë vendosur sanksione zyrtarëve kinezë për shkak të abuzimit me të drejtat e njeriut kundër pakicës së myslimanëve ujgurë.
Kina ka ndaluar qindra mijëra ujgurë në kampe në rajonin veriperëndimor, Xinjiang, ku pretendohet se janë duke u kryer tortura, punë e detyrueshme dhe abuzime seksuale.Sanksionet janë pjesë e përpjekjeve të koordinuara nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kanadaja, ndërsa Kina ka reaguar me sanksione ndaj zyrtarëve evropianë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Kina i ka mohuar akuzat për abuzim, duke pretenduar se kampet janë qendra të riedukimit, të cilat shfrytëzohen për luftim të terrorizmit.
Megjithatë, ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab, tha se trajtimi i ujgurëve paraqet shkelje të tmerrshme të të drejtave më themelore të njeriut.
Bashkimi Evropian nuk ka vendosur sanksione të reja kundër Kinës për shkeljen e të drejtave të njeriut që nga shtypja e protestuesve në Sheshin “Tianamen” më 1989, kur ushtria kishte hapur zjarr ndaj protestuesve që kërkonin demokraci.
Cak i sanksioneve të reja, ku përfshihen ndalimi i udhëtimit dhe ngrirja e aseteve, janë zyrtarë të lartë në Xinjiang, të cilët janë akuzuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë.