Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në Kurshë të Madhe në përvjetorin e 22 të masakrës së kryer nga regjimi serb
Kurti ka thënë se do ta ngrisin çdo ditë çështjen e të pagjeturve dhe se kjo temë do të jetë prioritet edhe në dialogun me Serbinë.
“Është obligim i yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me institutin e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e prokurorisë speciale dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë që të arrijmë t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi që duhet të gjykojë e dënojë kriminelët e luftës.
Ne do ta ngrisim këtë çështje përditë në çdo instancë dhe duam të krijojmë kushtet që prokuroria të jetë aktive e gjyqësori efikas meqenëse sistemi i drejtësisë është shtyllë vendimtar e shtetndërimit demokratik por edhe e përgjegjësisë ndaj qytetarëve që jetojnë me këtë plagë të hapur për shkak të kriminelëve që vazhdojnë të jenë të lirë”, u shpreh Kurti.
Ai tha se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet edhe në raport me Serbinë dhe se nuk do të ketë dialog me kërkesat e vjetra të shtetit serb.
“Padyshim që në raportin me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës. Do ta adresojmë këtë çështje ç’do ditë në të gjitha instancat. Në raportin tonë më Serbinë ne e kemi prioritet fatin e të pagjeturve dhe krimet e kryera nga Serbia. Ne do të kërkojmë përgjegjësi. Të gjithë e mbajmë mend sepse e kemi përjetuar vetë, nuk duhet ta pyesim as gjyshen as gjyshin as ti lexojmë librat e historisë sepse këto krime i kemi përjetuar vetë”, u shpreh ndër të tjera Kurti.