Vjosa Osmani sot së bashku me kryekuvendarin Glauk Konjufca ka qëndruar në Podujevë ku ka bërë homazhe tek varrezat e familjes Bogujevci dhe Duriqi.
Osmani në Podujevë është shfaqur krah nënkreytares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, me ç’rast ka kërkuar drejtësi për masakarat ndaj familjes Bogujevci e Duriqi, shkruan Reporteri.net.
“Sot ndamë dhimbjen me familjet Bogujevci e Duriqi, të cilat 22- vjet më parë në Podujevë humbën më të dashurit e tyre në një ndër masakrat më mizore të forcave serbe mbi civilët shqiptar. Shumica dërmuese e të vrarëve ishin fëmijë. Drejtësia deri sot ka munguar, ndërkaq ne e kemi borxh institucional, e mbi të gjitha moral e njerëzor, që të bëjmë gjithçka që drejtësia të bëhet e mundshme e që kryesit e këtyre masakrave të marrin dënimin meritor!”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kjo e fundit ka publikuar edhe një foto me Boguejvcin, duke shuar kështu zërat për një përplasje të mundshme mes tyre, pas raportimeve të disa mediave se nënkreytarja e Kuvendit nga VV të ketë thënë se rezultati i arritur në zgjedhje do të ishte i njëjtë edhe pa Osmanin.
Për të këtë deklaratë ka reaguar Bogujevci, përmes një postimi në Facebook, duke mohuar një gjë të tillë, për çka shtoi se po bëhet një fushatë e vrazhdë ndaj Osmanit.
“Nga intervista ime mbrëmë në emisionin Infomagazine, disa portale paskan nxjerrë tituj e lajme që kinse unë paskam thënë së ne do t’i fitonim zgjedhjet edhe pa Vjosa Osmanin. Kjo nuk është e vertetë, e nuk ka të bëjë as me interpretimin e asaj që unë kam thënë. Kjo është thjeshtë një fushatë e vrazhdë që po vazhdon t’i bëhet znj. Osmanit”, ka shkruar ajo.